" /> ">

Itali, dy ish-ministra në gjyqin ndaj mafies

27/05/2013 15:45

Disa ish-politikanë dhe anëtarë të forcave policore në Itali po gjykohen në një gjyq anti-mafie, ku janë të pranishëm edhe disa eksponentë të “Cosa Nostra”-s në Siçili.

Në gjyqin që ka fituar një vëmendje të madhe kombëtare, prokurorët besojnë se në emër të shtetit, politikanët lidhën disa marrëveshje të fshehta, me qëllim ndalimin e një fushate terrorizmi të vendosjes së bombave në disa qytete, në fillim të viteve 1990.

Pas disa shpërthimeve në Romë, Milano e Firence, kjo fushatë terrorizmi përfundoi papritur në mesin e viteve 1990 dhe gjithmonë është dyshuar për një marrëveshje të fshehtë të shtetit me kupolat e krimit të organizuar, që nëse do të verifikohet, nga pikëpamja ligjore do të ishte e dënueshme penalisht.

Sipas dyshimeve, ky “gjunjëzim” i shtetit u bë duke arritur një marrëveshje për sigurimin e kushteve më të mira në burg për bosat e dënuar si dhe tolerimin e disa krimeve e pushimin e ndjekjes për disa eksponentë të “Cosa Nostra”-s jashtë burgut.

Nga ana e tij, ish-ministri i Brendshëm, Nicola Mancino, protesoi këtë të hënë për faktin që është duke u gjykuar së bashku me mafiozë të lidhur me ish-bosin famëkeq Toto Riina.

“Unë gjithmonë e kam luftuar mafien”, këmbënguli Mancino, i akuzuar për dëshmi të rreme. “Nuk është e drejtë të jem në të njëjtin gjyq përkrah mafiozëve. Kam besim dhe shpresë që drejtësia do të vihet në vend dhe do të dal nga kjo sallë sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Një tjetër ish-ministër, Calogero Mannino, është gjithashtu në gjykim.

Midis dëshmitarëve, pritet të grumbullohen disa figura të tjera të larta politike të vendit dhe midis tyre, mbase edhe Presidenti i Italisë, 88-vjeçari Giorgio Napolitano.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA