Balotazh në Romë, Grillo “Flop”

27/05/2013 23:50

Ndodhi pikërisht ajo që parashikohej në zgjedhjet lokale, që u zhvilluan dje dhe sot në 563 komuna e që përfshinë gati 7 milionë votues.

Në qendrat e votimit u paraqitën shumë më pak votues se sa pritej. Numri i abstenuesve ka shënuar një rritje të madhe gati kudo, me një mesatare prej 62,38% kundrejt 77,16% të pjesëmarrjes së regjistruar në zgjedhjet e kaluara.

Në Romë, gati gjysma e votuesve nuk kanë shkuar në qendrat e votimit: kanë shprehur preferencën e tyre vetëm 52,7% e personave me të drejtë vote. Mjafton të mendosh që, në zgjedhjet e vitit 2008, në kryeqytet pjesëmarrja ka qenë 73,65, plot njëzetë pikë më shumë.

Ndërsa debatohet, nëse arsyeja është moti i keq, apo finalja e Kupës së Italisë, që u luajt mbrëmë, kryetari i Senatit, Pietro Grasso, deklaroi se duhet punuar për të afruar politikën te qytetarët.

Qytetarë dhe votues, si të majtë, ashtu edhe të djathtë, që janë zhgënjyer nga marrëveshja me bazë të gjerë, që mban në këmbë qeverinë e kryesuar nga Enrico Letta.

Në kryeqytet, ku beteja po zhvillohet mes kryebashkiakut të djathtë, Gianni Alemanno, dhe rivalit të majtë, Ignazio Marino, nga projeksionet, ky i fundit duket se është në avantazh.

Është regjistruar një rënie e ndjeshme e kandidatëve të “Lëvizjes 5 Yjet”, të kryesuar nga Beppe Grillo, e cila në zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit mori rreth 25% të votave.

Po të shqyrtohet vota në kryeqytet, nga projeksionet, “Lëvizja 5 Yjet” del me rreth 13%, nga 27,3% që kishte vetëm tre muaj më parë. Nëse asnjë nga kandidatët nuk do të sigurojë mbi 50% të votave, për dy kandidatët kryesorë do të votohet sërish më 9 e 10 qershor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA