Përfaqësuesja e Lartë e BE-së mirëpriti miratimin e planit të zbatimit nga Prishtina dhe Beogradi mbi marrëveshjen e pranuar nga palët më 19 Prill.
Duke e konsideruar si një hap para në dialogun e ndërmjetësuar nga BE, Ashton deklaroi se do t’i raportonte Këshillit të Ministrave të Jashtëm mbi rezultatet e takimit të fundit me kryeministrat Thaçi e Daçiç.
“Unë do të raportoj përsëri mbi takimin ndërmjet kryeministrit Thaçi dhe kryeministrit Daçiç dhe mbi planin e zbatimit që është rënë dakord. Marrëveshja u arrit nga të dy qeveritë për të mbështetur këtë plan dhe tani unë iu uroj fort ata për ta çuar këtë përpara”, deklaroi Ashton.
Pas dështimit të negociatave në nivel teknik, më 22 maj Ashton i dorëzoi kryeministrave Thaçi e Daçiç planin e paracaktuar të zbatimit mbi masat që parashikon marrëveshja e prillit.
Në deklaratën e saj publike, Përfaqësuesja e Lartë kujton se ky plan zbatimi synon zgjidhjen e problemeve në terren dhe garantimin e progresit të shpejtë të Serbisë dhe Kosovës drejt Bashkimit Europian.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel