Zhvillimet politike, marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-ve si dhe dialogu ndërshtetëror Kosovë-Serbi, ishin disa nga temat, që u biseduan në takimin e kryeministrit Hashim Thaçi me kongresmenët amerikanë Robert Aderholf, Bob Mek Iuen (BobMcEwen) dhe Trent Uolters (Trent Walters), që po marrin pjesë në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, kryeministri Thaçi i njoftoi kongresmenët amerikanë, për arritjet e pas-shpalljes së Pavarësisë, duke u fokusuar në reformat që janë bërë dhe po vazhdojnë të bëhen në politikë, ekonomi dhe legjislacion.
Duke folur për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Thaçi ritheksoi se kjo marrëveshje është historike dhe ndodh pas gati 100 vjet konflikti të vazhdueshëm.
“Zbatimi i marrëveshjes është në interes të perspektivës europiane të të dy vendeve dhe të rajonit në tërësi, të bashkëpunimit rajonal. Dhe, në këtë drejtim, qeveria e të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës janë të vendosura për zbatimin e plotë të saj”, theksoi kryeministri Thaçi.
Nga ana e tyre, kongresmenët amerikanë theksuan mbështetjen e tyre edhe për arritjen e marrëveshjes ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, duke e vlerësuar shumë të rëndësishëm përshpejtimin e procesit të zbatimit të saj.
Top Channel