“Ruby”, Karima Mahroug gënjeu hetuesit

25/05/2013 03:00

Kërcimtarja, e akuzuar se ka kryer seks me pagesë, gjatë kohës që ka qenë minorene, me ish-kryeministrin e Italisë, Silvio Berlusconi, tha gjatë seancës gjyqësore se ka gënjyer hetuesit në vitin 2010.

Karima El-Mahroug tha se kishte “sajuar” detajet në lidhje me festimet erotike të organizuara në vilën e Berlusconi-t, gjatë kohës që ai ishte kryeministër. Ajo dëshmoi në gjyqin e 3 ish-bashkëpunëtorëve të Berlusconi-t, të akuzuar se ndihmonin në gjetjen e prostitutave për të.

Berlusconi është duke u gjykuar veçmas, në lidhje me akuzat se ka paguar për seks me minorene, ndër të cilat edhe El-Mahroug. Të dy, kërcimtarja dhe ish-kryeministri, kanë mohuar akuzat. El-Mahroug nuk akuzohet për ndonjë krim në asnjë rast, teksa njihet në të dyja rastet formalisht si pala e dëmtuar.

Të premten, ajo u shfaq si dëshmitare në gjyqin e prezantuesit televiziv, Emilio Fede, agjentit të festave, Lele Mora, dhe Nicole Minetti-t, një këshilltare rajonale dhe ish-showgirl. Ata akuzohen se kanë siguruar prostituta për të ashtuquajturat mbrëmjet festive “bunga-bunga” të Berlusconi-t.

El-Mahroug, e njohur si “Rubi, hajdutja e zemrave”, tha në gjykatë se kishte gënjyer se kishte marrë 187 mijë euro nga Berlusconi, për të qenë pjesëmarrëse në disa prej festave të tij.

Ajo tha se kishte “sajuar” gjithçka, sa për show. Kërcimtarja iu kthye gjithashtu dëshmisë se femra të reja kishin qenë pjesë e banjove nudo në rezidencën e Berlusconi-t, duke thënë se ato ishin vetëm striptiste dhe nuk kanë patur “kontakte” me ish-kryeministrin.

“Më vjen keq, që kam folur gjëra të pakuptimta me hetuesit”, tha El-Mahroug, e cila mendohet të ketë qenë 17 vjeç, kur ka qenë pjesë e festave të tij. “Pjesa më e madhe e atyre që kam thënë nuk kanë qenë të vërteta”.

Hetuesit pritet të bëjnë deklaratat përfundimtare më 31 maj, ndërsa verdikti për gjyqin e Berlusconi-t, me akuzën se ka fjetur me një prostitutë minorene, do të jepet më 24 qershor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA