Të paktën 17 fëmijë janë vrarë nga flakët pasi një cilindër gazi ka shpërthyer në autobusin e tyre të shkollës, në lindje të Pakistanit.
Sipas njoftimeve të policisë lokale, të paktën shtatë fëmijë të tjerë janë dërguar në spital pas rënies së zjarrit, që erdhi si pasojë e shpërthimit dhe që përfshiu të gjithë autobusin.
Ngjarja ndodhi në rrethinat e qytetit Gujrat. Media lokale citoi shefin e policisë të thoshte se shoferi i ka mbijetuar shpërthimit, ndërsa një mësues kishte vdekur nga flakët.
Dar Ali Khattak tha për agjencinë e lajmeve “AFP” se zjarri u shkaktua nga një shkëndijë kur shoferi ndërroi gazin me naftën.
Ai shtoi se fëmijët që humbën jetën ishin të moshave mes 5 dhe 15 vjeç dhe vetëm pak kilometra larg shkollës së tyre në Gujrat, rreth 200 kilometra në jug-lindje të kryeqytetit Islamabad.
Gazi natyror i presuar përdoret në miliona automjete në Pakistan, si një alternativë e lehtë në vend të dizelit dhe naftës. Për shumë shpërthime të mëparshme janë fajësuar cilindrat nën standardin e duhur, të përdorur për të mbajtur karburantin.
Top Channel