Londër, vrasja e shqiptarit

25/05/2013 01:10

Tre persona janë arrestuar nga policia britanike, se kanë ndihmuar të dyshuarit për vrasjen e shqiptarit Xhem Krasniqi, në jug të Anglisë, disa ditë më parë.

Të arrestuarit, megjithatë, nuk janë personat kryesorë të dyshuar për vrasjen e 31-vjeçarit Krasniqi, punëtor skele me banim në zonën e Kentit.

Njëri prej të arrestuarve është 26 vjeç dhe dhe dy të tjerët janë 30-vjeçarë, por nuk dihet nëse janë shqiptarë ose jo.

Prej disa ditësh, policia britanike është vënë në kërkim të dy vëllezërve shqiptar, Edmond dhe Albert Nela, në lidhje me vrasjen e Xhem Krasniqit, përpara disa ditësh në qytetin bregdetar Hove, në jug të Anglisë.

Vëllai i Krasniqit dhe nipi i tij, po ashtu janë qëlluar me armë zjarri, por kanë mundur t’i mbijetojnë sulmit.

Dedektivët kanë publikuar në median angleze fotot e të dyshuarve. Policia beson se vrasja mund të jetë e lidhur me një mosmarrëveshje mes dy familjeve.

Polica e “Sussex” i ka kërkuar ndihmë edhe Top-Channel, si dhe tërë medias britanike, në apelin drejtuar shqiptarëve që jetojnë në Britani.

Policia ka botuar edhe njoftime të përkthyera në shqip, për shqiptarët e Britanisë. Duke iu adresuar komunitetit shqiptar, shefi i policisë së qytetit Brighton dhe Hove, Simon Nelson, tha se “ne e respektojmë faktin, që komuniteti shqiptar është krenar dhe i lidhur, duke kërkuar ndihmën e njëri-tjetrit në kohë të vështira”.

Por, policia angleze ka paralajmëruar, që publiku të mos u afrohet dy vëllezërve, që janë ende në kërkim. Ndërkohë që janë njoftuar të gjitha portet dhe pikat e kalimit kufitar, për të frenuar largimin nga Britania të dy vëllezërve të dyshuar për këtë vrasje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA