Një i dërguar personal i liderit të Koresë së Veriut, Kim Jung-Un, tha se ai është i hapur për nisjen e bisedimeve për çarmatosjen bërthamore, një lëvizje që vjen pasi lideri i Kinës i dërgoi një mesazh të prerë Penjanit, për t’u rikthyer në tavolinën e negociimeve.
Lajmi është bërë i ditur nga media shtetërore kineze, gjatë së premtes. I dërguari personal i Kim, i cili ndodhej për një vizitë 3-ditore në Kinë, i dorëzoi dorazi një letër të Kim për presidentin Xi Jinping, në takimin e mbajtur në Pekin, përpara se të rikthehej në Korenë e Veriut të premten, sipas medias kineze.
Edhe pse përmbajtja e letrës nuk është bërë e ditur nga qeveria, i dërguari Choe Ryong-Hae, tha për zyrtarët kinezë se vendi i tij dëshiron të “ndërmarrë veprime pozitive për të zgjidhur problemet përmes dialogut”, raportoi “China Daily”.
Choe nuk ofroi asnjë detaj se kur apo si do të bëhen të mundura bisedimet 6-palëshe. Bisedimet, që përfshijnë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, u ndërprenë në 2008-n, kur Penjani u tërhoq për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me inspektimet bërthamore të propozuara.
Shumica e vëzhguesve pranojnë se Penjani nuk pritet të rikthehet në bisedime, ku do të jetë si parakusht çarmatosja e tij nga armët bërthamore. Korea e Veriut besohet të ketë një aftësi të limituar për lëshimin e raketave balistike bërthamore, por me një besueshmëri të ulët.
Top Channel