Lëvizja Vetëvendosje reagon për arrestimet e ish-luftëtarëve të UÇK-së, duke kritikuar EULEX-in se nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe pavarësinë e shtetit, UÇK-në e luftën çlirimtare.

“Ndaj nuk kemi si të besojmë a shpresojmë që ai mund të bëjë drejtësi. Akuzat dhe burgosjet e fundit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së nuk janë të parat e as të fundit. Statusi, misioni, qëndrimi dhe qasja e EULEX-it ndaj vendit, popullit e historisë sonë edhe s’mund të prodhojnë diçka tjetër edhe detyrimisht e politizojnë gjyqësinë dhe drejtësinë”, thuhet në një komunikate të VV.

Më pas kjo lëvizje kritikon edhe qeverinë e Kosovës, se  nuk po e mbron luftën e UÇK-së, as si histori e lavdishme, as si koncept politik e vizion kombëtar dhe as pjesëtarët e saj.

“Përkundrazi, vijon komunikata, kryeministri i Kosovës merret vesh me kryeministrin e Serbisë për autonominë e serbëve brenda Kosovës, që do të dirigjohet nga Serbia, me ç’rast kriminelët e strukturave paralele të Serbisë do të amnistohen e integrohen në kuadër të sistemit e institucioneve tona. Në këtë udhë pa krye, kryeministrit të Kosovës s’ka se si të mos e pengojë UÇK-ja dhe gjithçka që ajo shënon e kujton”, vijon komunikata.

Për Vetëvendosjen, shkeljet dhe krimet eventuale e individuale të pjesëtarëve të UÇK-së nuk mund t’i trajtojë EULEX-i, i cili e njeh luftën në Kosovë vetëm atëherë kur bëhet fjalë për krimet e luftës dhe vetëm atëherë kur këto u përshkruhen shqiptarëve e jo Serbisë dhe forcave të saj.

Vetëvndosje risjell në kujtesë se vetëm në vitet 1998 e 1999, Serbia vrau rreth 12.000 shqiptarë, dhunoi mijëra gra e vajza, dogji e shkatërroi rreth 120.000 shtëpi, etj.

“Por, EULEX-i s’merret me këto, ashtu si nuk merret as me krimet e strukturave të Serbisë përgjatë këtyre 14 viteve të pasluftës në veri të Ibrit dhe jo vetëm atje”, përfundon kjo komunikatë.

Një ditë më parë EULEX njoftoi se kishte arrestuar 5 të dyshuar nën akuzat për krime lufte. Arrestimet u kryen nga policia e EULEX-it në bashkëpunim me Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës, Rosu. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA