Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç ka falenderuar homologun rus Vladimir Putin për qëndrimin ndaj Kosovës, duke deklaruar se Serbia do t’i jetë gjithmonë mirënjohëse Rusisë.
Këtë deklaratë Nikoliç e ka bërë nga Soçi, ku ka zhvilluar një takim kokë më kokë me presidentin rus, ku Kosova ka qenë temë e bisedimeve.
Ndër të tjera dy presidentët kanë nënshkruar një marrëveshje për partneritet strategjik, ku përfshihet bashkëpunimi në fushën e biznesit, tregtisë dhe infrastrukturës.
Rusia, aleate historike e Serbisë, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron atë si të paligjshme.
Më herët gjatë muajit, pas takimit me ministrin e Jashtëm gjerman, Nikoliç deklaroi se Serbia është e përkushtuar për zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe në përparimin e mëtejshëm drejt BE-së.
Por nga ana tjetër ai tha se, “Beogradi nuk do të mashtrojë partnerët evropianë, duke premtuar diçka që nuk mund të përmbushë”.
Sipas mediave serbe, Nikoliç në këtë mënyrë vuri në dukje se Serbia nuk do të njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.
Top Channel