Luftë në Kabul, sulmohen zyrat e OKB-së

24/05/2013 00:00

Ushtria afgane shkëmbeu zjarr për orë me radhë në qendër të kryeqytetit Kabul, pas një sulmi masiv e të befasishëm të ndërmarrë nga militantët talebanë.

Shkëmbimet e zjarrit u shoqëruan me shpërthime të forta. Një ushtar afgan dhe një polic jashtë detyrës janë mes viktimave të numëruar deri më tani, ndërkohë që disa të vdekur numërohen në radhët e talebanëve.

Objektiv i sulmit u bënë zyrat e Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit, ku njëra prej punonjësve të saj, sic raportohet paraprakisht me origjinë italiane, ka mbetur e plagosur rëndë.

Talebanët thanë për BBC se në shenjestër të tyre ishin agjentët e CIA-s që marrin pjesë në fushatën trajnuese të forcave të sigurisë dhe të inteligjencës afgane. Televizionet lokale raportojnë për dhjetra militantë talebanë që kanë hyrë në atë që njihet “zonë e sigurtë”, ku kanë selitë një sërë institucionesh ndërkombëtare.

Kreu i policisë së Kabulit tha të gjithë, përvec pesë ose gjashtë militantëve janë vrarë në luftime, ndërsa raportohen shtatë policë të lënduar lehtë. “Kemi të bëjmë me një sulm të mirëorganizuar”, tha ai.

Javën e kaluar, një tjetër grup ekstremistësh mori përsipër sulmin ndaj një autokolone të ushtrisë afgane, ku të pakën 15 persona gjetën vdekjen, ndërsa në sulmin e fundit brenda Kabulit, një shpërthim kamikaz shkaktoi nëntë të vrarë.

Forcat afgane po marrin gjithnjë e më shumë kontrollin e sigurisë në vend, ndërsa trupat ndërkombëtare po përgatiten për tërheqjen përfundimtare nga operacionet në terren brenda vitit 2014. Forcat afgane pritet të marrin përgjegjësinë dhe kontrollin e sigurisë në të gjithë territorin e vendit brenda pak muajsh dhe kjo do të ndodhë për herë të parë që nga viti 1992.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA