Patriarku rus Kiril ka deklaruar se kisha ruse dhe populli sllav kurrë nuk do t’ia kthejë shpinën serbëve të Kosovës dhe ka theksuar se Kosova kurrë nuk duhet humbur.
“Duhet t’iu përmbaheni të gjitha presioneve dhe momenteve të rënda, sepse Kosova, ky vend i shenjtë, dhe populli që jeton atje, nuk duhet të humbasin”, ka thënë Kiril për gazetën serbe “Veçernje Novosti”.
Kiril ka thënë se asnjë lloj ndryshimi politik e as arsye tjera nuk do t’i shtyjnë rusët që të harrojnë lidhjen shumëshekullore shpirtërore me serbët.
Kisha Ortodokse, si ajo serbe edhe ajo ruse, luajnë një rol të rëndësishëm në politikat e dy vendeve, sidomos në çështjet e tipit gjeopolitik.
Para se të arrhej marrëveshja e 19 prillit me Kosovën, lidershipi politik serb zhvilloi një takim të gjatë me kreun e kishës, patriarkun Irinej.
Më herët gjatë muajit, pas një takimi me presidentin Nikoliç, Irinej deklaroi se për zgjidhjen e çështjes së Kosovës është i nevojshëm uniteti absolut.
“Problemi është shumë i madh dhe për ne është shumë e rëndësishme që të jemi të bashkuar rreth Kosovës”, u tha Irinej gazetarëve.
Top Channel