“Dronet”, OKB përshendet deklaratën e Obamas

24/05/2013 00:00

Raportuesi i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, që njëkohësisht udhëheq një grup hetuesish të organizatës ndërkombëtare për hetimin e sulmeve me avionë pa pilotë të Shteteve të Bashkuara, përshëndeti deklaratën e presidentit Obama, duke e cilësuar atë si një hap i madh drejt transparencës.

Ben Emmerson tha se në deklaratën e presidentit Obama u arsyetua më qartë se kurrë më parë nevoja e Shteteve të Bashkuara për të vijuar operacionet e saj me avionë pa pilotë, që njihen ndryshe si dronë.

Kombet e Bashkuara në muajin janar nisën një hetim mbi sulmet e avionëve amerikanë pa pilotë. Hetuesit e udhëhequr nga reporteri i të drejtave të njeriut, Ben Emmerson do të zbardhin dinamikën e 25 sulmeve të tilla në Pakistan, Afganistan, Jemen, Somali dhe në territoret palestineze.

Në deklaratën e tij, presidenti amerikan mbrojti sulmet duke i quajtur ato efikase dhe të domosdoshme për të mbajtur armiqtë e Amerikës larg. Por ai theksoi nevojën e forcimit të rregullave për goditjen e një objektivi.

Sulmet më të shumta me avionë pa pilotë janë ndërmarrë në territoret pakistaneze, pranë kufirit me Afganistanin, në terrenin e thyer ku janë bazat më të mëdha të talebanëve dhe të militantëve të Al Kaedas.

Vetë Pakistani i ka quajtur disa herë si joproduktive sulmet e tilla, madje ka shtuar se prodhojnë pikërisht efekt të kundërt, pasi shpesh godasin civilë, mes të cilëve edhe gra e fëmijë. Por së fundmi, Islamabadi është tërhequr nga qendrimi i tij i mëparshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA