Barak Obama e mbrojti politikën e administratës së tij mbi përdorimin e avionëve pa pilotë, duke e cilësuar “një luftë të drejtë” kundër militantëve ekstremistë dhe një fushatë për të bërë Amerikën më të sigurt.
Në një fjalim të rëndësishëm mbi sigurinë kombëtare, që preku edhe çështjen e avionëve të telekomanduar, e cila për shumë kohë është rrethuar me mister. Presidenti amerikan tha se duhet të ketë një “siguri me përafërsi”, që sulme të tilla nuk do të shkaktojnë viktima në radhët e civilëve.
“Ne jemi në luftë me një organizatë, që në këtë moment do të vriste sa më shumë amerikanë që të mundej, nëse nuk do ta ndalonim ne të parët. Pra është një luftë e drejtë, që po zhvillohet në mënyrë proporcionale, si rruga e vetme për t’i bërë ballë kësaj situate dhe krejtësisht në vetëmbrojtje”, tha Obama.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë foli një ditë pasi Shtetet e Bashkuara pranuan për të parën herë publikisht, se nga goditjet e avionëve të tillë në Jemen dhe Pakistan në 2011-n u vranë katër shtetas amerikanë.
Pohimi u bë nga Prokurori i Përgjithshëm, Eric Holder, përmes një letre në adresë të liderëve të Kongresit, pikërisht në vigjilje të fjalimit kyç të presidentit mbi sigurinë kombëtare.
Letra i drejtohej kryetarit të komisionit të Senatit për Gjyqësorin, Patrick Leahy. Holder sqaronte aty se vrasjet ndodhën gjatë operacioneve anti-terroriste, kundër ekstremistëve të al-Kaedës dhe militantëve të lidhur me ta.
Avionët pa pilotë janë shndërruar në firmën e luftës së Shteteve të Bashkuara kundër terrorit. Por, përdorimi i tyre përballet me një sërë çështjesh mjaft komplekse ligjore dhe etike, shumë larg argumenteve praktike se sa efikase janë në të vërtetë sulmet e avionëve të telekomanduar.
Viktimat e padëshiruara në radhët e civilëve përbëjnë një problem qendror, ashtu siç është dhe baza ligjore e mësymjeve të tilla, në vende ku Amerika nuk është e përfshirë drejtpërdrejtë në luftë.
Top Channel