Një prej pronarëve të linjave më të mëdha të përpunimit të mishit në Holandë u arrestua ditën e enjte, mbi bazën e dyshimeve se shiti 300 tonë mish kali si mish viçi.
Arrestimi i Willi Selten u konfirmua nga burimet zyrtare të policisë holandeze.
Së bashku me pronarin e “Willi Selten BV”, u ndalua edhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë.
Mbi ata rëndon akuza e deklarimit të rremë dhe mashtrimit.
Besohet se në mënyrë që të rrisnin fitimet, pronarët shitën mish kali si mish viçi, duke kontribuar në shpërthimin e një skandali ushqimor me përmasa europiane, pasi disa laboratorë zbuluan më parë gjatë vitit mashtrimin.
Vendimi i “Selten BV” për të shitur mish kali, tek disa prej kontraktorëve të saj, shkaktoi dhjetëra milionë euro dëme për firmat që përdorën këtë mish, pas tërheqjes së të gjitha produkteve nga tregu.
Skandali i mishit të kalit, i zbuluar në Irlandë në janar, u zgjerua me shpejtësi në Britaninë e Madhe, Francë, Zvicër, Suedi dhe Gjermani.
Ndonëse i padëmshëm për shëndetin, mishi i kalit nuk është popullor në Europë dhe shumë prej konsumatorëve u shprehën të neveritur, pasi mësuan se çfarë kishin konsumuar me të vërtetë.
Bashkimi Europian imponon një rregullore të fortë ushqimore mbi vendet anëtare dhe firmat përballen me sanksione penale e administrative, nëse lista e përbërësve të secilit produkt nuk i përgjigjet realitetit.
Top Channel