SHBA konfirmon të vdekurit nga dronët

23/05/2013 02:00

Prokurori i përgjithshëm i SHBA-ve ka pranuar se janë vrarë 4 shtetas amerikanë, nga sulmet me “drone” (avionë të telekomanduar), që prej vitit 2011.

Në një letër të drejtuar komitetit të drejtësisë në Senat, Eric Holder mbrojti vrasjen e shumëpërfolur të Anëar al-Awlaki. Por, ai tha se djali 16-vjeçar i Awlaki-t, si dhe 2 individët e tjerë, “nuk kanë qenë shënjestra specifike nga SHBA”.

Zbulimi i vrasjeve në Jemen dhe Pakistan shënon kështu pranimin e parë formal dhe publik të shtetasve amerikanë të vdekur nga sulmet e dronëve.

“Presidenti më udhëzoi të zbuloja disa informacione të caktuara, të cilat kanë qenë si ‘të klasifikuara’ deri tani”, shkroi Holder.

Zyrtari më i lartë amerikan i zbatimit të ligjit mbrojti vrasjen e Awlaki-t, të cilin e përshkroi si një “udhëheqës të lartë operacional” të al-Qaeda-s në gadishullin arabik.

Holder tha se Awlaki ishte “përfshirë ngushtëisht në planifikimin e detajuar dhe zbatimin e komploteve kundër shtetasve amerikanë”. Holder shtoi se zyrtarët “kishin arritur në konkluzionin se Awlaki përbënte një rrezik të vazhdueshëm dhe të pashmangshëm” ndaj Shteteve të Bashkuara.

Awlaki, një i dyshuar i al-Qaeda-s i lindur në shtetin amerikan të New Mexico-s, u vra nga një avion i telekomanduar në Jemen, në shtator 2011. Zyrtarët amerikanë njoftuan vdekjen e tij, por nuk zbuluan zyrtarisht se ai ishte vrarë nga një dron.

Samir Khan, një shtetas i natyralizuar si amerikan, i cili prodhonte një revistë online, ku promovonte ideologjinë e al-Qaeda-s, u vra në të njëjtën goditje me raketë. Djali 16-vjeçar i Awlaki-t, Abdulrahman, i cili ishte lindur në Colorado, u vra në Jemen vetëm 1 muaj më pas.

Jude Mohammad, një rezident në Karolinën e Veriut, me baba pakistanez dhe nënë të lindur në Amerikë, u arrestua në Pakistan në 2008-n, pasi u përpoq të hynte në një pjesë të vendit, që dominohej nga militantët dhe të ndaluar për të huajt. Ai u shpall fajtor për zotërim armësh dhe për mungesë të dokumentacionit të saktë, por u zhduk pasi iu dha liria me kusht.

Sipas të afërmve të tij, Mohammad mendohet të jetë vrarë nga një sulm me raketë në nëntor 2011 në Pakistan, sipas raporteve të New York Times.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA