Para takimit të “Miqve të Sirisë” që do të mbahet në Jordani, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry u ndal në Izrael, ku sipas mediave vendase do t’i shprehë kryeministrin Netanyahu pakënaqësinë e Uashingtonit mbi vendimin e qeverisë së izraelite për legalizimin e ndërtesave kolone në Bregun Perëndimor.
Gazeta më e madhe izraelite, “Haaretz” shkruan se që me publikimin e vendimit për legalizimin e këtyre ndërtimeve, një javë më parë, Sekretari i Shtetit Kerry ka telefonuar personalisht kryeministrin Netanyahu duke i kërkuar këtij të fundit ta anulojë atë.
Bëhet fjalë për katër blloqe ndërtimesh kolone në Bregun Perëndimor, që sipas një plani të mëparshëm do të shembeshin. Mësohet se Sekretari Kerry i ka shprehur kryeministrit izraelit pakënaqësinë e Uashingtonit mbi këtë lëvizje të beftë të kabinetit të tij. Ai tha se vendimi nuk ndihmon në nisjen e bisedimeve të paqes mes Izraelit dhe Palestinës.
Ndërkohë, qeveria e Netanyahu-t është në presion nga opinioni publik për mbajtjen e premtimit elektoral, që ishte vazhdimi i ndërtimeve kolone në Bregun Perëndimor. Sipas analistëve , ky premtim i siguroi shumicën e mbështetjes së izraelitëve kryeministrit Netanyahu, ndërsa ky i fundit, i vënë nën trysninë ndërkombëtare ka hequr dorë, të paktën për momentin, nga të tilla plane.
Top Channel