Misioni EULEX e ka fokusuar punën e tij tek zbardhja e krimeve të
luftës, duke trajtuar plot 101 çështje dhe duke lënë në plan të dytë
hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

E përditshmja kosovare “Express” ka publikuar një pasqyrë të punës së misionit evropian për rendin dhe ligjin, duke vënë në dukje se çështjet e hapura për krime lufte janë mbi 100.

“Prokurorët e EULEX-it aktualisht po hetojnë 101 raste për krime lufte, përfshirë hetimet që janë në fazë paraprake. Deri tani, trupat gjyqësore ku bëjnë pjesë gjykatësit e misionit kanë dhënë 27 aktgjykime për çështje të kësaj natyre”, raporton “Express”.

Ndryshe nga krimet e luftës, më pak vëmendje po i kushtohet hetimeve ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat ndahen respektivisht me 36 dhe 42 çështje.

”Prokurorët e EULEX-it janë duke hetuar 36 raste të krimit të organizuar dhe 42 raste të korrupsionit. Deri më tani janë shpallur 37 aktgjykime për çështje të korrupsionit dhe 20 aktgjykime për çështje të krimit të organizuar”, citon më tej “Express” misionin evropian.

Disa herë EULEX ka deklaruar se është i angazhuar për luftën ndaj fenomeneve negative në Kosovë, por rezultatet e tij kanë qenë të vakëta.

Faktori ndërkombëtar, përfshirë Bashkimin Evropian nga i cili rrjedh, në analizat e tij e ka cilësuar atë si një mision të dështuar.

Kjo, pasi pavarësisht çështjeve që EULEX reklamon, nuk ka pasur asnjë goditje konkrete të krimit të organizuar apo korrupsionit, ku në disa raste janë përfshirë edhe ish-zyrtarë të qeverisë së Kosovës.

Figura kryesore në proçes për korrupsion është ajo e Fatmir Limajt, ish-ministër i Transporteve, i cili akuzohet për krim të organizuar përmes manipulimit të tenderave bashkë me vëllezërit e tij.

Top Channel