Francë, shefja e FMN në gjykatë

23/05/2013 00:00

Shefja e FMN-së, Christine Lagarde ka mbërritur në gjykatën e Parisit për t’u marrë në pyetje lidhur me pagimin e një miliarderi të shumëpërfolur gjatë kohës që shërbente si ministre e Financave.

Lagarde po pyetet për të sqaruar rolin e saj në çështjen që u hap në 2007-ën, që ka të bëjë me pagimin e 400 milionë eurove për Bernard Tapie.

Teksa hynte në Gjykatën e Drejtësisë së Republikës, organ ky që heton shkeljet qeveritare, zonja Lagarde u tha gazetarëve: “Gëzohem që ju shoh sërish”.

Ajo mund të vendoset zyrtarisht nën hetim për vendimin për të përdorur arbitrazhin për të sheshuar betejën e gjatë gjyqësore mes shtetit dhe zotit Tapie, një mbështetës i presidentit të atëhershëm, Nicolas Sarkozy.

Çështja daton që në vitin 1993, kur zoti Tapie, një personazh kontrovers në botën e biznesit francez, shiti aksionet e tij në kompaninë e artikujve sportivë “Adidas” tek “Credit Lyonnais”.

Vetëm fare pak kohë më pas, banka e shiti të njëjtën kuotë aksionesh për një shumë shumë më të madhe, duke bërë që zoti Tapie të deklaronte se ishte mashtruar.

Në vitin 2007, presidenti Sarkozy sugjeroi se Ministria e Financave, që në atë kohë drejtohej pikërisht nga Lagarde, duhet ta çonte çështjen në arbitrazh.

Ajo ende insiston se atëherë pagimi i biznesmenit ishte zgjidhja më e mirë, edhe pse zoti Tapie fitoi një shumë më të madhe nga sa priste të merrte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA