Sistemi i fuqishëm i stuhive, që shkatërroi komunitetin e Murit në Oklahoma, më parë gjatë kësaj jave, po i drejtohet Liqeneve të Mëdha dhe Luginës së Tenesit, lajmëruan të mërkurën metereologët.
“Kërcënimet kryesore për banorët e ndodhur në këtë zonë janë erërat e fuqishme dhe breshëri me copa të mëdha akulli”, paralajmëroi Qëndra Kombëtare e Metereologjisë në SHBA. “Një numër tornadosh mund të regjistrohen gjithashtu, si rrjedhojë e këtyre kushteve”.
Disa stuhi goditën ndërkohë gjatë të mërkurës zona të gjera në shtetet e Teksasit, Oklahomës, Luisianës, Arkansasit dhe Misisipit.
Banorët e komuniteteve në rrugën e stuhive janë paralajmëruar që të kufizojnë sa më shumë lëvizjet e tyre dhe të marrin masa, për të përforcuar mbrojtjen në shtëpitë e tyre ose për t’i braktisur ato, nëse kjo do të jetë e pamundur.
Aktualisht, stuhitë kanë shkaktuar vonesa dhe anullimin e disa fluturimeve hyrëse apo dalëse nga aeroportet e shteteve të prekura.
Megjithatë, lajmi i vetëm i mirë është se në kushtet aktuale metereologjike, po reduktohen gjithmonë e më shumë mundësitë e formimit të tornadove të reja, pavarësisht se erërat e forta mbeten ende një kërcënim serioz.
Më parë gjatë javës, një tornado ndër më të fuqishme e vëzhguara ndonjëherë në SHBA goditi një komunitet në Oklahoma, duke vrarë 24 persona, shumë prej të cilëve fëmijë dhe plagosur me dhjetëra të tjera.
Kërkimet për të mbijetuar në rënojat e banesave të shkatërruara nga ajo tornado janë ende në vazhdim.
Top Channel