Kosova, për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë më 2008, do të jetë mikpritëse e qindra të ftuarve nga mbarë bota.
Delegacione të 30 shteteve do të marrin pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”, të cilat Kosova i organizon kësaj radhe në 10-vjetorin e tyre në Europën Juglindore.
Përfaqësues të jetës politike, akademike, kulturore, ekonomike nga shtete të ndryshme si SHBA, Gjermania, Britania e Madhe, Shqipëria, do të marrin pesë në “Lutjet e Mëngjesit”, ndërsa do të ketë pjesëmarrës edhe nga shtetet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, në mesin e tyre edhe nga Serbia.
Përmes këtij organizimi, që bëhet nën patronazhin e Kuvendit, Kosova ka për synim të japë mesazhin se shteti i ri është shndërruar në faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.
“Është një fitore e madhe që të jemi mikpritës të një ngjarjeje të karakterit botëror dhe qëllimi ynë është të japim një mesazh se Kosova, edhe pse dje ishte shumë vështirë të mendohej diçka e tillë, nga lajmet tragjike që janë shpërndarë anëkënd botës, do të përçojë mesazhin e tolerancës se jemi popull paqëdashës”, ka deklaruar kreu i grupit parlamentar të PDK, Adem Grabovci.
Po ashtu, Grabovci ka bërë të ditur se pjesëmarrës do të ketë edhe nga Serbia, por nuk ka përmendur emra.
”Ajo që është shumë me rëndësi dhe që ruan pikërisht karakterin e qëllimit të kësaj ngjarjeje të Europës Juglindore, është se janë të përfshira dhe të përfaqësuara të gjitha shtetet e rajonit, pa përjashtim, duke përfshirë edhe Serbinë, që do të jetë një delegacion gjithpërfshirës, i niveleve të larta, me përgjegjësi edhe shtetërore”, ka saktësuar Grabovci.
Aktivitetet për “Lutjet e Mëngjesit” do të zhvillohen të premten në Kuvendin e Kosovës, dhe të shtunën me një ceremoni të veçantë.
Top Channel