Ukrainë, Tymoshenko, blog nga burgu

21/05/2013 16:25

Ish-kryeministrja e Ukrainës, Yulia Tymoshenko, e cila aktualisht po vuan një dënim 7-vjeçar me heqje lirie, hapi ditën e martë një blog të sajin në internet.

Një lloj ditari, ai do të shërbejë për të treguar jetën e saj në burg dhe për të shpallur idetë politike, të një figure të shndërruar në një frymëzuesen shpirtërore të opozitës.

Sipas asaj që ka shpallur vetë Tymoshenko, blogu do të shërbejë për të “demaskuar mungesën e ndershmërisë së zyrtarëve publikë dhe gardianëve, do të jetë një vrojtues i së vërtetës, për të gjithë ata që pretendojnë se motivohen në veprimet e tyre nga ligji. Blogu do të jetë ai që do të demaskojë të vërtetat që i mbahen të fshehta opinionit publik”, komentoi Tymoshenko.

Ish-kryeministrja, e ankuar disa herë për keqtrajtim në kushtet e izolimit, prej dy vitesh qëndron burgosur mbi akuzën e shpërdorimit të detyrës, në rastin e firmosjes së një marrëveshje gazi me Rusinë në vitin 2009.

Sipas akuzës, ajo tejkaloi kompetencat, duke mos marrë miratimin e kabinetit qeveritar përpara lidhjes së marrëveshjes, por pretendimi për përfitime personale nuk është verifikuar kurrë nëpërmjet provash të qarta.

Në bazë të vlerësimeve të ekspertëve, marrëveshja e firmosur prej saj ka rezultuar e dëmshme për ekonominë ukrainase.

Tymoshenko dhe mbështetësit e saj, nga ana e tyre, akuzojnë kundërshtarin e saj kryesor politik gjatë karrierës dhe tashmë Presidentin e Ukrainës, Viktor Yanukovych, për orkestrimin e këtij gjyqi të motivuar politikisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA