Aksidenti tragjik hekurudhor në Greqi, sot tre vite nga vdekja e 57 personave, grekët në protestë: Krimi nuk do të mbulohet
Presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Kinës do të mbajnë samitin e tyre të parë në qershor, në Kaliforni, kanë njoftuar të dyja palët.
Barack Obama dhe Xi Jinping do të takohen në datat 7 dhe 8 qershor në një rezidencë në Rancho Mirage, thuhet në një komunikatë të institucioneve amerikane.
Mes temave të bisedimeve ka gjasa të jenë çështja e Koresë së Veriut, spiunazhi kibernetik, tensionet në detin e Kinës së Jugut dhe Siria.
Takimi do të jetë i pari mes dy presidentëve që kur zoti Xi u zgjodh kryetar shteti i Kinës në muajin mars. Presidenti 61-vjeçar e zhvilloi vizitën e tij të parë jashtë vendit në Rusi, për të vazhduar më pas në tre vende afrikane.
“Dy presidentët do të diskutojnë thellë për një sërë çështjesh me interes dypalësh, interes rajonal dhe global”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
“Ata do të trajtojnë progresin dhe sfidat në marrëdhëniet SHBA-Kinë në katër vitet e kaluara dhe do të fokusohen tek rritja e bashkëpunimit në vitet e ardhshme, duke menaxhuar me kujdes diferencat mes tyre”, vijon njoftimi.
Ndërsa në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme kineze, zëdhënësi Qin Gang thotë se dy presidentët do të shkëmbejnë pikëpamjet e tyre për një seri çështjesh.
“Ky takim është i rëndësishëm për zhvillimin e marrëdhënieve afatgjata SHBA-Kinë, si dhe për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rang rajonal dhe global”, ka thënë zëdhënësi.
Top Channel