PE, debat për evazionin fiskal

21/05/2013 00:00

Parlamenti Evropian do të mblidhet për të diskutuar mbi mënyrat e frenimit të evazionit fiskal, në prag të samitit që BE do të mbajë mbi këtë çështje.

BE deklaron se 1 trilion euro në vit fshihen në vendet anëtare përmes evazionit fiskal, kuotë kjo shtatë herë më e lartë se buxheti i Unionit.

Situata është acaruar pas publikimit të emrave të disa politikanëve grekë e francezë që kanë llogari sekrete në bankat e Zvicrës.

Eurodeputetët pritet të bëjnë thirrje për hartimin e një liste të zezë të parajsave fiskale dhe të bëjnë presion për të detyruar Zvicrën që të lehtësojë rregullat për sekretet bankare.

Korrespondentja e BBC në qytetin francez të Strasburgut, ku parlamenti do të mblidhet, thotë se qeveritë e ndodhura në vështirësi financiare nuk mund t’i lejojnë vetes të humbasin qoftë edhe një qindarkë nga të ardhurat e taksave e jo më 1 trilion euro që shkon çdo vit në llogari ‘offshore’.

Eurodeputetët pritet të bëjnë thirrje për marrjen e një seri masash, përfshirë hartimin e një liste të zezë për parajsat fiskale, një sistem automatik për shkëmbimin e informacioneve bankare dhe për krijimin e një fondi për gjykimin e evazorëve dhe rekuperimin e të ardhurave.

Një ditë më parë edhe kryeministri britanik David Cameron u bëri thirrje territoreve britanike përtej detit, që operojnë me regjime të ulëta taksash, që “të rregullojnë shtëpinë” dhe të firmosin traktatet ndërkombëtare mbi taksat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB