Policia tuniziane dhe qindra radikalë islamikë salafitë u përleshën në rrugët e kryeqytetit vendas pas një vendimi të autoriteteve që i ndaloi një grupi salafit takimin e tij vjetor.
Mediat vendase flasin për të paktën një protestues të vrarë dhe dhjetra policë të plagosur. Protesta u regjistruan edhe në qytetin Kairouan ku ishte paralajmëruar një takim me Ansar al-Sharia, udhëheqësi kryesor i salafistëve në Tunizi.
Javën e kaluar, qeveria tunizione ndaloi kongresin e salafitëve duke e arsyetuar vendimin se përbënte një kërcënim serioz për sigurinë publike.
Por pavarësisht vendimit të qeverisë, udhëheqësit salafitë u bënë thirrje mbështetësve të tyre të mblidheshin në kongres. Thirrjeve të tyre iu kundërpërgjigj policia vendase që zbarkoi në rrugët e qytetit me përforcime.
Policia u bëri thirrjeve salafistëve që të shpërndaheshin dhe pas refuzimit të këtyre të fundit ndërhyri dhunshëm duke përdorur gaz lotsjellës dhe shkopinj gome. Protestuesit nga ana tjetër hodhën gurë dhe sende të tjera të forta në drejtim të policisë.
Propaganda e salafistëve në Tunizi, duke shfrytëzuar edhe tranzicionin politik që kaloi vendi pas rrëzimit të presidentit Ben Ali, ka fituar terren. Vitin e kaluar në kongresin e organizuar prej tyre, morën pjesë rreth 4 mijë anëtarë.
Top Channel