Korea e Veriut lëshoi disa raketa të reja në det, informoi të hënën Seuli zyrtar, i cili njëkohësisht bashkangjiti një thirrje për “tërheqjen nga veprime të tilla provokuese”.
Megjithatë, në një komunikiatë paralele, Peniani i konsideroi lëshimin e raketave në bregun e tij lindor si “tërësisht normale” dhe të zhvilluara në kuadrin e një “stërvitje ushtarake”.
Pavarësisht se radarët e ushtrisë koreanojugore kanë arritur të identifikojnë lëshimet e ndodhura në tre ditët e fundit, ende nuk është përcaktuar se me çfarë predhash ka realizuar qitjet Korea e Veriut.
Ekspertët ushtarakë dyshojnë se mund të bëhet fjalë për një raketë me rreze të shkurtër veprimi ose një lloj predhe e lëshuar me topa të një kalibri të madh.
Sipas të dhënave, vendi komunist realizoi tre qitje ditën e shtunë, pasuar nga një të dielën dhe dy të hënën.
Organizata e Kombeve të Bashkuara, nga ana e saj, i është bashkuar qëndrimit të Koresë së Jugut, duke i kërkuar regjimit të Penianit që të tërhiqet nga veprime të tilla dhe të rikthehet në tryezën e bisedimeve, për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe të përshtatshme për të gjitha palët, për reduktimin e tensionit në Gadishullin Korean.
Top Channel