Përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës në nëntë provinca jugore të Kinës
kanë vrarë mbi 50 persona, ndërkohë që 14 të tjerë konsiderohen të
humbur.
Sipas njoftimeve të agjencive kineze, provinca Guangdong është më e goditura, me 36 viktima të regjistruara pas ditësh të tëra shirash të dendura.
Ndërkohë, gjashtë viktima të tjera janë regjistruar në provincën Jiangxi.
Më vonë gjatë së shtunës për provincën Guangdong janë parashikuar shira të mëtejshme, të cilat pritet të shkaktojnë sërish përmbytje dhe rrëshqitje toke.
Grupe të ndërhyrjes së shpejtë janë dërguar në zonat e prekura nga fatkeqësitë natyrore për t’u ardhur në ndihmë banorëve.
Raportohet se shirat e dendura kanë shkaktuar përmbytje në zonat malore të provincave të sipërpërmendura dhe kanë prekur 9 qytete, përfshirë këtu kryeqytetin provincial Guangzhou.
Rreth 900 mijë persona janë prekur nga përmbytjet, që kanë shkatërruar 2675 shtëpi, raporton më tej agjencia e lajmeve “Xinhua”.
Top Channel