Irak, dita më e dhunshme gjatë muajve të fundit

18/05/2013 04:35

Më shumë se 60 persona janë vrarë dhe dhjetra të tjerë janë plagosur në disa sulme me bomba, që kishin si shënjestër sunitët, në ditën më të dhunshme në Irak, gjatë muajve të fundit.

Në sulmin e parë, në Baquba, rreth 50 km në veri të Bagdadit, të paktën 41 persona u vranë, kur dy bomba shpërthyen jashtë xhamisë sunite.

Më pas, policia tha se të paktën 8 të tjerë vdiqën në një funeral sunit në Madain, si dhe 14 të tjerë në 2 shpërthime, që ndodhën në perëndim të Bagdadit.

Sulmet janë vazhdimësi e rritjes së shpejtë të dhunës sektariane gjatë javëve të fundit në Irak. Një seri shpërthimesh me bomba kishin si objektiv zonat shiite anembanë Irakut, të mërkurën dhe të enjten. Më shumë se 120 persona janë vrarë në total gjatë 3 ditëve të fundit.

Në incidentin e së premtes, në Baquba, bomba e parë shpërtheu kur adhuruesit ishin duke u larguar nga një xhami sunite, pas lutjeve të së premtes. Ndërkohë që disa persona shkuan të ndihmonin të plagosurit, një bombë e dytë shpërtheu, me telekomandim nga distanca, tha policia. Mbi 56 persona u plagosën.

Të paktën 20 persona ndërruan jetë nga sulmi me bombë në Madain, pjesa më e madhe e të cilëve raportohen të kenë qenë vajtues në një funeral të një lideri lokal.

Një tjetër shpërthim ndodhi në një zonë tregtare, me popullsi sunite, në perëndim të Bagdadit, duke vrarë më shumë se 14 persona, sipas zyrtarëve. Të paktën 30 ishin të plagosurit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA