Dy trena pasagjerësh “Metro-North”, të cilët po udhëtonin në drejtime të kundërta, janë përplasur gjatë mbasdites së të premtes në jug-perëndim të Connecticut-it, duke u shkatërruar dhe duke shkaktuar 60 të plagosur, bënë të ditur autoritetet.
Një tren, që udhëtonte nga New Haven drejt New York City-t, doli nga shinat rreth orës 18:10 lokale, duke goditur një tjetër tren në Bridgeport të Connecticut-it, tha zëdhënësi i “Metro-North”, Marjorie Anders.
Treni i dytë, që drejtohej për në New Haven, u përplas gjithashtu edhe me disa makina. Një pasagjer në një makinë, që ndodhej në trenin e New York-ut, Chris Martin, tha se nuk pa asgjë pas aksidentit, deri kur dikush telefonoi mjekët për ndihmë. Zyrtarët thanë se të plagosurit nuk rrezikojnë për jetët e tyre.
Ai dhe të tjerë pasagjerë në bordin e një treni pothuajse të tejmbushur, u evakuuan, pjesa më e madhe e të cilëve në gjendje të mirë fizike, por të tronditur psikologjikisht. Por, pati edhe disa të dëmtuar, teksa vet Martin tha se kishte parë 8 apo 9 ambulanca dhe një numër të konsiderueshëm njerëzisht në barrela.
Brian Alvarez, që u ndodh në vendngjarje, e përshkroi skenën si diçka e pabesueshme. “Pashë një makinë, e cila ishte shkatërruar tërësisht, por grupet e shpëtimit po nxirrnin personat nga ajo”, tha Alvarez. “Ata ishin të gjithë të gjakosur”.
Kryebashkiaku i Bridgeport, Bill Finch tha për reporterët se, pavarësisht përplasjes dhe shkatërrimeve të konsiderueshme, ai nuk ishte në dijeni të ndonjë individi që rrezikonte jetën.
John Cappiello, një zëdhënës i spitalit të Bridgeport, dha po të njëjtën vlerësim. Dy persona të plagosur ishin në gjendje të vështirë në spital, njëri me dëmtime në fytyrë, kurse tjetri me plagë në këmbë.
Top Channel