Në analizën e tij për CNN, “Turqia mund të jetë çelsi i Obamës për të zgjidhur krizën në Siri”, Ed Husein, një prej drejtuesve të Këshillit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, e cilësoi këtë si momentin ideal, për ta lëshuar peshën amerikane mbi udhëheqjen turke.
Konflikti po përhapet shpejt jashtë Sirisë dhe, deri kur fuqitë e rajonit si Turqia, Izraeli dhe Arabia Saudite nuk do të autorizohen për të vepruar ushtarakisht, shumë më tepër jetë do të humbasin, ndërsa Lindja e Mesme do të destabilizohet.
Ed Husein kundërshton ndërhyrjen ushtarake amerikane në Siri por, sipas tij, aktet e fundit nga Izraeli, sulmet mbi Turqinë dhe afrimi mes këtyre dy vendeve të rëndësishme, duan të thonë se tani ka një qëllim të ri për një përfshirje më madhore rajonale në Siri.
Ai thotë se diplomacia duhet të mbështetet nga forca.
Së pari, Al Asad dhe familja e tij duhet të largohen nga Siria, për në Rusi, Iran apo gjetkë. Ditët e qeverisjes së tyre si mafia, shkruan Husein, morën fund. Shumë sirianë kanë humbur frikën ndaj Al Asadit dhe nuk do të pajtohen me diçka më të vogël se sa largimi i tij. Ai duhet ta bëjë këtë lirshëm dhe menjëherë, ose përndryshe do të ketë të njëjtin fat si Moamar Gedafi dhe Sadam Husein.
Së dyti, Al Asad nuk është mbrojtësi i minoriteteve siriane, siç shumë kanë besuar gabimisht. Genocidi ndaj pakicave siriane do të ketë një efekt sizmik ndaj fiseve dhe pakicave fetare në Irak, Liban dhe Jordani. Turqia, forcat rajonale dhe ato të NATO-s duhet të shndërrojnë në përparësi, parandalimin e kësaj.
Së treti, me të gjithë ndasitë dhe grindjet sektare, i takon opozitës siriane ta zotërojë Sirinë.
Së katërti, largimi i Asadit dhe mbrojtja e komuniteteve siriane nuk është fundi, por një fillim i ri. Siria mund të ecë në disa drejtime. Sfida; nga radikalizmi dhe terrorizmi brenda Sirisë, është reale dhe këto duhet të përballen atje, si dhe të parandalohet dalja jashtë kufijve dhe përhapja e virusit të dhunës.
Ndërsa Siria punon për të rindërtuar infrastrukturën, ekonominë, shoqërinë dhe shtetin, SHBA nuk mund t’i kthejë kurrizin një vendi, që ndan kufijtë me Jordaninë, Turqinë, Irakun, Izraelin dhe Libanin.
Aktualisht, Uashingtoni ka nevojë t’i përgjigjet thirrjeve të aleatëve në Lindjen e Mesme dhe me këtë mund të afrojë bashkëpunimin mes turqve, izraelitëve dhe arabëve, në përpjekjet e tyre për të çliruar Sirinë nga kontrolli i një klani të korruptuar dhe për të garantuar, që të mbetet i lirë nga fanatikët e fesë muslimane.
Amerikës nuk i duhet të udhëheqë gjithmonë, thotë Husein, ajo mund dhe duhet të mbështesë aleatët.
Top Channel