Rusia furnizon Sirinë me raketa

17/05/2013 00:00

Rusia, një prej aleateve të pakta të regjimit sirian dhe furnizuesja kryesore e vendit me armë, ka dërguar në Siri raketa të sofistikuara anti-anije. Lajmin i gazetës prestigjoze New York Times citon zyrtarë amerikanë të pohojnë se raketat në fjalë mund të përdoren kundër cdo ndërhyrjeje të mundshme ushtarake në vend.

Pa konfirmuar detajet e lajmit, kryediplomati rus Sergei Lavrov tha se dërgesat e Moskës nuk shkelin asnjë ligj ndërkombëtar. Njoftimi vjen në mesin e një përshkallëzimi të shqetësimeve mbi përdorimin e armëve kimike në Siri, që për presidentin Barak Obama përbën “vijën e kuqe” të kalimit në veprim.

Përgjate viteve Rusia ka dërguar me mijëra tanke, njësi artilerie, avionë, helikopterë e sisteme mbrojtëse në bazë kontratash që mbërrijne në miliarda dollarë.

New York Times sqaron se një ngarkesë ruse e kohëve të fundit me destinacion vendin e trazuar përfshinte formën më të avancuar të Yakhontit, një raketë 6,7 metra e gjatë me rreze veprimi 290 km, e cila bart ose kokë me eksplozivë të fuqisë së lartë, ose mbushje që shpojnë mjetet e blinduara.

Raketa supersonike anti-anije drejtohet me radar dhe përdoret për mbrojtjen bregdetare. Raporti i gazetës amerikane thekson fuqinë që i jep një raketë e tillë qeverisë së Bashar al Asadit për të sprapsur flotat e huaja nga brigjet siriane.

Por pretendime të tilla, nëse provohen të vërteta, kanë një domethënie të dyfishtë. Së pari ato tregojnë vazhdimësinë e deshirave të Moskës për të shmangur ndërhyrjen ushtarake në Siri në mënyrë që të mos përsëritet më skenari i Libisë. Së dyti, në të njëjtën masë, thellohet shqetësimi se Yakhonti mund të kalojë në duart e aleatit libanez të Sirisë, Hezbollahut, e një gjë të tillë përfaqëson vijën e kuqe për Izraelin që menjëherë do të niste sulmet mbi depot siriane të armëve.

Në bisedimet për Sirinë edhe Irani

Shefi i diplomacisë ruse Sergei Lavrov mendon se në bisedimet për Sirinë duhet të marrë pjesë edhe Irani. Vendet perëndimore kërkojnë një numër të kufizuar pjesëmarrësish në konferencën ndërkombëtare ku do të tentohet gjetja e një zgjidhjeje për konfliktin sirian.

Por Ministri i Jashtëm rus argumenton përse Republika Islamike nuk duhet përjashtuar nga tryeza e diskutimeve.

“Irani e ka theksuar vazhdimisht solidaritetin me qeverinë siriane. Zyrtarët iranianë udhëtojnë rregullisht drejt Damaskut, ndaj për këtë nuk ka asnjë dyshim. Dua të theksoj edhe një herë se paragjykimet gjeopolitike nuk duhet ta pengojnë pjesëmarrjen e Teheranit në konferencë”, tha Lavrov.

Irani që mbështet presidentin Bashar al Assad, e përshendet propozimin, por dëshira e tij për të marrë pjesë në takimin e qershorit 2012 për Sirinë të mbajtur në Gjenevë me ndërmjetësimin e OKB-së, u kthye në mollë sherri për Uashingtonin dhe Moskën.

E ndërsa diskutohet për organizimin e konferencës, shtohen pretendimet për përdorimin e armëve kimike në këtë vend. Pas takimit me kryeministrin turk Rexhep Taip Erdogan, presidenti Barak Obama pohoi se Shtetet e Bashkuara i kanë parë provat e sulmeve të tilla, por sërish këmbënguli se është shumë e rëndësishme të sigurohen detaje më të hollësishme mbi episodet në fjalë.

Dy liderët u zotuan së bashku të vazhdojnë presionet mbi Assadin e të mbështesin opozitën siriane në betejën e saj dy-vjeçare për t’i dhënë fund regjimit autokratik në Siri.

Sipas Kombeve të Bashkuara, bilanci i vdekjeve që nga fillimi konfliktit në këtë vend, ka mbërritur në të paktën 80.000.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB