Shtetet e Bashkuara dhe Turqia do të vazhdojnë presionet, për të mbërritur te dorëheqja e presidentit të Sirisë, Bashar Al Asad.
Gjatë takimit me kryeministrin turk, Rexhep Taip Erdoan, në Uashington, presidenti amerikan Barak Obama tha se të gjithë mundësitë, diplomatike dhe ushtarake, po merren në konsideratë.
“Janë një sërë opsionesh, në të cilët tashmë janë përfshirë SHBA, dhe unë ruaj çdo mundësi për të ndërmarrë hapa shtesë, diplomatike dhe ushtarake, sepse armët kimike brenda Sirisë kërcënojnë gjithashtu sigurinë afatgjatë, si dhe aleatët, miqtë dhe fqinjët”, tha Obama.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë nënvizoi se SHBA ka tashmë fakte, se në Siri janë përdorur armë kimike por, sipas tij, është e rëndësishme pritja për më shumë informacione specifike përpara se të nxirren përfundime dhe të vendoset për përgjigjen.
Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdoan, tha se qeveria e tij po punon për të shtuar përpjekjet në arritjen e një tranzicioni paqësor drejt demokracisë në Siri.
“Qëllimi ynë është të shikojmë largimin e tiranisë dhe diktaturës në Siri dhe zëvendësimin e saj me demokracinë. Mendoj se kjo është një përgjegjësi kolektive nga të gjithë vendet, që besojnë në demokraci, dhe kjo është ajo që ne do të vazhdojmë të bëjmë”, tha Erdoan.
Vizita e kryeministrit turk Erdoan në Uashington vjen disa ditë pas shpërthimit të dy autobombave në qytetin turk të Reihanlit, pranë kufirit me Turqinë, ku humbën jetën të paktën 51 persona.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë nënvizoi se lufta civile në Siri është një peshë e rëndë për Turqinë fqinje dhe garantoi se SHBA do të vazhdojë të ndihmojë Ankaranë dhe qeveritë e tjera të rajonit, për t’u përballur me problemin e refugjatëve dhe çështjeve të tjera të konfliktit.
***
Disa ditë më parë Obama dhe kryeministri britanik, David Cameron ranë dakord që të shtojnë presionin ndaj Assad, me qëllimin e vetëm: largimin e tij nga skena politike.
Pas një takimi të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, dy udhëheqësit garantuan mbështetjen për popullin e Sirisë.
“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të shtuar presionin ndaj regjimit të Assad-it, për të garantuar ndihmë humanitare, për të forcuar opozitën e moderuar dhe për të përgatitur Sirinë demokratike, pa Bashar al Assad-in”, tha Obama.
“Nuk do të ketë progres politik, deri kur opozita të jetë në gjendje t’i bëjë ballë sulmeve dhe të ushtrojë presion kundër Assad, kësisoj ai duhet të kuptojë që nuk ka fitore ushtarake”, tha Cameron.
Top Channel