Qeveria izraelite është pranë aprovimit të ndërtimit të vendbanimeve të reja për hebrenjtë në territorin e pushtuar palestinez në Bregun Lindor, një nismë që do të dëmtonte më tej shpresat për një paqe të qëndrueshme që do t’i jepte fund konfliktit më të gjatë në Lindjen e Mesme.
Tel Avivi nisi të enjten një proces gjyqësor, me qëllim legalizimin e projektit për ndërtimin e katër kolonive “pararojë”, në bazë të ligjit izraelit.
Vendimi u konfirmua edhe nga zyrtarët palestinezë.
Çështja e vendbanimeve është ajo që mban të ngrirë bisedimet midis dy palëve që prej vitit 2010 dhe urdhëri i ri i Tel Avivit pritet të godasë rëndë shpresat për një vendosje të afërt të paqes.
Njëkohësisht, vendimi i Izraelit përbën një goditje të rëndësishme për shpresat e Uashingtonit, që po përpiqet të ndërmjetësojë një zgjidhje të pranueshme për palët.
Vendbanimet e ngritura në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor konsiderohen të paligjshme në bazë të ligjit ndërkombëtar, por Tel Avivi nuk e pranon këtë ligj.
Territoret palestineze në fjalë mbeten pjesë e Izraelit që prej vitit 1967, kur shteti hebre fitoi një luftë 6-ditore, e cila iu imponua nga një koalicion vendesh arabe.
Rreth 500 mijë hebrenj jetojnë në vendbanimet e ngritura ndër vite në territoret e pushtuara, të cilat Palestina i pretendon si pjesë të shtetit të saj, të njohur formalisht nga shumica e vendeve të botës, përfshi Shqipëria, por ende jo nga OKB.
Top Channel