Bullgaria mund të përfshihet në një krizë të thellë politike, pasi partia fituese e zgjedhjeve të parakohshme të ditës së dielë kërkoi anullimin e rezultatit e mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Sipas ish-kryeministrit Boiko Borisov, fitorja e koalicionit të tij të djathtë u dëmtua rëndë nga “shkeljet e gjithëpërhapura” në votime dhe numërimin e mëpastajmë.
Zbulimi i 350 mijë fletëve shtesë votimi në një shtypshkronjë, 24 orë përpara mbajtjes së zgjedhjeve, sipas Borisov ngre pikëpyetje të mëdha mbi vlefshmërinë e rezultatit.
Kërkesa për rivotim dëmton rëndë shpresat e vendit më të varfër të BE-së për të siguruar një qëndrueshmëri politike, në mënyrë që të përballojë problemet e rënda ekonomike.
Njëkohësisht, ajo dëmton shpresat e presidentit Plevneliev për të ndërmjetësuar formimin e një qeverie me bazë të gjerë.
Rezultatet përfundimtare, të shpallura të mërkurën, konfirmuan fitoren e koalicionit të djathtë “Gerb”, të udhëhequr nga ish-kryeministri Boiko Borisov.
Megjithatë, me vetëm 30,5% të votave të grumbulluara, Borisov duhet të gjejë një mënyrë për të formuar një koalicion me bazë të gjerë, nëse dëshiron të udhëheqë vendin sërisht në katër vitet e ardhshme.
Blloku i koalicionit të majtë, i udhëhequr nga socialistët, u rendit i dyti në zgjedhje me 26,6%.
Vetëm dy parti të tjera arritën të kalonin kufirin e pjesëmarrjes në Parlament, Lëvizja për të Drejta dhe Liri e pakicës turke me 11,3% të votave dhe ultranacionalistët e “Ataka”-s, me 7,3%.
Protesta masive popullore kundër standartit të ulët të jetesës dhe korrupsionit të gjithëpërhapur detyruan partinë e qendrës së djathtë të kryeministrit Boiko Borisov që të jepte dorëheqjen në muajin shkurt, duke forcuar këto zgjedhje të parakohshme.
Të shtunën përpara zgjedhjeve, prokurorët thanë se gjetën 350 mijë fletë votimi të paligjshme në një shtypshkronjë, vota që dyshohej se do të hidheshin ilegalisht në emër të personave që nuk do të votonin.
Ndërkohë, në ditët e fushatës, vendi u trondit gjithashtu nga një skandal përgjimi të politikanëve prej ish-kryeministrit Borisov.
Top Channel