Dhoma amerikane e Tregtisë ka publikuar Indeksin vjetor të Biznesit, përmes të cilit mat perceptimin e anëtarëve të dhomës për klimën e biznesit në Shqipëri. Për 2012-ën ai është 40,48 nga 100, me një tendencë në rënie për këtë vit.
Sondazhi, në të cilën morën pjesë 105 kompani nga 215 që janë anëtarë gjithsej, arrin në konkluzionin se më shumë se gjysma e këtyre bizneseve, 58 për qind, konsiderojnë se klima e biznesit në Shqipëri, gjatë vitit 2012, ka qenë jo e favorshme ose aspak e favorshme, ndërsa pritshmëritë për vitin 2013 janë akoma më të ulëta.
Të anketuarit perceptuan si të lartë apo shumë të lartë, nivelin e burokracisë qeveritare në masën 66%, ekonomisë informale në 64 për qind, monopolin dhe konkurencën e pandershme 58 për qind dhe korrupsionin 57 për qind.
Marrëdhënia me autoritetet doganore, autoritet tatimore, ministritë dhe qeverinë lokale janë perceptuar si pozitive, ndërkohë që zbatimi i ligjit dhe i rregulloreve u perceptuan në të shumtën e rasteve si negative.
Për 74 për qind të anëtarëve të Dhomës amerikane të Tregtisë, performanca e ekonomisë shqiptare në vitin 2012 ka rënë ose ka rënë ndjeshëm, ndërsa për 56% të tyre kjo prirje do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2013.
45 për qind e kompanive u përgjigjën se kërkesa për mallra e shërbime ka pësuar rënie në 2012, gjë që do të vazhdojë edhe këtë vit. E ndryshme paraqitet situata në kompanitë eksportuese, ku kërkesa është rritur, trend që me sa duket do të vazhdojë edhe në 2013.
Për 51% të kompanive është bërë e vështirë ose shumë e vështirë për të gjetur mundësinë e financimit, situatë kjo që do të vazhdojë edhe në vitin që vjen, ndërsa për 50 për qind të të anketuarve është e vështirë ose shumë e vështirë për të gjetur staf vendas të kualifikuar.
***
I pranishëm në publikimin e këtij sondazhi, Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu e cilësoi atë një mjet të rëndësishëm në pëpjekjet për t’u angazhuar me qeverinë dhe drejtuesit politikë, për nxjerrjen në pah të shqetësimeve kryesore dhe përmirësimit të klimës së biznesit në Shqipëri.
“Ky index i ri i biznesit do të shërbejë si një mjet i rëndësishëm, për të përcaktuar prioritetet e Dhomës amerikane të Tregtisë në të ardhmen, dhe si bazë për zhvillimin e dialogut konstruktiv me zyrtarët e shtetit. Duhet të vazhdojmë të kërkojmë standardet më të larta për investitorët dhe biznesin nga qeveria, të kërkojmë forcimin e rregullave transparente dhe ndershmëri nga të gjitha agjencitë rregullatore. Dhoma amerikane e Tregtisë duhet të vazhdojë të jetë një partner i ndershëm dhe e gatshme të bashkëpunojë me çdo qeveri, që do të vijë këtë vit”, tha Aleksandër Arvizu.
Dhoma amerikane e Tregtisë mori mbështetjen edhe të ministrit të Ekonomisë, Florion Mima, në lidhje me shqetësimet që ata i kishin paraqitur ditë më parë.
Top Channel