BE i premton 520 mln euro Malit

15/05/2013 04:25

Bashkimi Europian do të zotohet të japë 520 milionë euro ndihmë për rindërtimin e Malit, në një konferencë me donatorë ndërkombëtarë në Bruksel, të mërkurën.

Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, tha se paratë do të ndihmonin shtetin afrikano-perëndimor të kthente “stabilitetin, demokracine dhe prosperitetin”.

Konferenca është e para, që kur Franca dërgoi trupat e saj për të zmbrapsur rebelët islamik nga veriu i Malit, në shkurt. Qeveria e Malit ka një plan prej 4,3 miliard eurosh për një “rilindje totale të vendit”.

Ai përfshin rindërtimin e institucioneve qeveritare dhe ushtrisë, riparimin e infrastrukturës së shkatërruar, organizimin e zgjedhjeve presidenciale, dialogun me grupet rebele në veri dhe stimulimin e ekonomisë.

Pas takimit me shefin e KE-së në Bruksel, të martën, presidenti i përkohshëm i Malit, Dioncounda Traore, tha se shpresonte që ndihma prej 2 miliardë eurosh do të rritej edhe më tepër në konferencën e donatorëve.

“Mendoj se është një fillim i mirë”, tha ai në një konferencë për shtyp. “Nesër ose pasnesër, brenda një jave apo një muaji, është e qartë se komuniteti ndërkombëtar, Bashkimi Europian, do të injektojnë shumë më tepër parà se sa kjo shumë”.

Për Barroso-n, ndihma do të sjellë përfitime për Europën, ashtu si dhe për Afrikën. “Mbështetja e komunitetit ndërkombëtar është esenciale për të ndërtuar një Mali të stabilizuar, demokratik dhe të begatë”, shtoi ai. “Por, aktorët kryesorë në këtë tranzicion janë vet malianët dhe qeveria e tyre”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA