Tragjedi në Bolivi, avioni rrëshqet nga pista gjatë uljes dhe përplaset me makinat në aeroport, 20 viktima dhe 30 të plagosur
Tajvani ka ftohur marrëdhëniet me Filipinet për shkak të vrasjes së një peshkatari pak ditë më parë.
Në shenjë proteste, qeveria tajvaneze ka vendosur të tërheqë të dërguarin e saj në Manila dhe të ndërpresë punësimin e punëtorëve filipinas.
Tajvani ka deklaruar se lëvizja në fjalë tregon pakënaqësinë e presidentit Ma Ying Jeou ndaj mënyrës se si Manila zyrtare po menaxhon çështjen.
Peshkatari tajvanez u qëllua nga roja bregdetare filipinase javën e kaluar në ujëra territoriale që pretendohen nga të dyja palët.
I dërguari i Filipineve në Taipei kërkoi falje për incidentin pas skadimit të një afati treditor të vendosur nga Tajvani për të kërkuar falje.
Antonio Basilio, shef i zyrës përfaqësuese të Filipineve në Tajvan, deklaroi se qeveria e vendit të tij ka rënë dakord për dëmshpërblimin e familjes së peshkatarit dhe kryerjen e një hetimi mbi vrasjen e tij.
“Populli dhe qeveria filipinase e kuptojnë lëndimin dhe irritimin që populli tajvanez ndjen pas vrasjes së peshkatarit”, deklaroi zoti Basilio.
Por lideri tajvanez reagoi i zhgënjyer duke thënë se falja nuk ka ardhur nga autoritetet e larta dhe vuri në dyshim sinqeritetin e fjalëve të diplomatit.
Ai i kërkoi zotit Bazilio që të kthehet në Filipine dhe të ndihmojë në menaxhimin e hetimeve, deklaroi një zëdhënëse e qeverisë tajvaneze.
Top Channel