Me kërkesën e një prokuori të EULEX-it, Gjykata Themelore e Prishtinës ka urdhëruar të enjten një muaj paraburgim për Naser Kelmendin.
Lajmi bëhet i ditur në një komunikatë të EULEX-it. Kelmendi u arrestua për herë të dytë të martën, në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga një prokuror i misionit evropian, i cili ka nisur një hetim për këtë rast.
Kelmendi është duke u hetuar për një sërë veprash penale, më kryesorja prej të cilave është ajo për ushtrim të krimit të organizuar. Për të njëjtat vepra penale ai akuzohet në Bosnje e Hercegovinë.
EULEX-i sqaroi një ditë më parë se nuk ka të drejtë ta ekstradojë Kelmendin në ansjë shtet tjetër, sepse operon sipas ligjeve të Kosovës. Shteti i Kosovës nuk ka marrëveshje ekstradimi me Bosnje e Hercegovinën, pasi kjo e fundit nuk e ka njohur pavarësinë.
Gjithashtu, Kosova nuk bën pjesë në organizatën policore ndërkombëtare Interpol, gjë që pamundëson ekstradimin e të arrestuarit, i konsideruar si një prej bosëve kryesorë të drogës në Ballkan.
Duke iu referuar këtij rasti, kryeministri Hashim Thaçi kërkoi të mërkurën nga faktori ndërkombëtar që të hiqen barrierat që pengojnë anëtarësimin e Kosovës në Interpol.
Thaçi tha se institucionet e Kosovës u ballafaquan me proçedura të komplikuara dhe theksoi se anëtarësimi i vendit në Interpol do të krijojë kushtet për luftimin e krimit e organizuar në rajon.
“Unë dua të theksoj se kjo paraqet një “handicap” të madh dhe kosnideroj se vonesat e panevojshme që po i bëhen Kosovës për anëtarësimin në këto organizata definitivisht duhet të eliminohen”, deklaroi Thaçi.
Top Channel