Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar u ka bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të vendosin komunikimin me serbët në veri dhe të mos ia lënë gjithë punën e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit në atë pjesë të territorit vetëm Serbisë.

Pas një takimi me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, Zhbogar ka inkurajuar Prishtinën zyrtare që të provojë t’i bindë serbët e veriut se marrëveshja me Beogradin është në të mirën e tyre.

“Mendoj se nuk është vetëm Serbia ajo që duhet t’i bindë serbët në veri në lidhje me planin dhe marrëveshjen. Mendoj se edhe autoritetet në Prishtinë duhet të vazhdojnë t’i inkurajojnë dhe të mundohen t’i bindin ata se marrëveshja e arritur është në interesin e tyre”, ka thënë Zhbogar.

Zhbogar është shprehur i bindur se Kosova dhe Serbia do të bien dakord për planin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit, të arritur mes kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.

“Është një marrëveshje e rëndësishme. Zbatimi i saj do të jetë mjaft kompleks, por është me rëndësi që të dyja palët të ndihen rehat me planin e zbatimit, i cili do të jetë tejet i detajuar me afatet kohore dhe veprimet që duhet të ndërmerren në terren”, ka theksuar Zhbogar.

Marrëveshja ka të bëjë kryesisht me vendosjen e normalitetit në komunat veriore të Kosovës, ku autoritetet shtetërore nuk kanë qasje për shkak të kontrollit mbi atë territor nga strukturat paralele serbe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA