Qeveria e Kosovës i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të anulojë vonesat në anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Shkas për këtë është bërë arrestimi i të shumëkërkuarit Naser Kelmendi nga policia e Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se institucionet e Kosovës u ballafaquan me proçedura të komplikuara dhe rrjedhimisht anëtarësimi i vendit në Interpol do të krijojë kushtet për luftimin e krimit e organizuar në rajon.

“Ju e dini se Kosova për shkak të arsyeve të njohura ende nuk është anëtare e Interpolit dhe institucioneve tjera rajonale e evropiane që merren me luftën kundër krimit të organizuar. Prandaj, unë dua të theksoj se kjo paraqet një “handicap” të madh dhe kosnideroj se vonesat e panevojshme që po i bëhen Kosovës për anëtarësimin në këto organizata definitivisht duhet të eliminohen”, deklaroi Thaçi.

Numri 1 i qeverisë përgëzoi Policinë e Kosovës për arrestimin e Naser Kelmendit. Ai tha se policia arrestoi të dyshuarin kryesor për përfshirje në trafikimin e drogës në Ballkan dhe personin që ndodhet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara. Gjithashtu, Thaçi falenderoi edhe EULEX-in për proçedimin e rastit.

“Shpreh mirënjohjen më të lartë për të gjithë pjesëtarët e strukturave të sigurisë së Republikës së Kosovës, të cilat me profesionalizëm kanë arritur arrestojnë dhe të vënë prapa grilave njërin nga bosët e krimit të organizuar dhe trafikantin më të madh të drogës në Ballkan”, u shpreh Thaçi.

Në ngërç ekstradimi i Kelmendit

Misioni EULEX nuk ka marrë asnjë kërkesë nga autoritetet e Bosnje e Hercegovinës për ekstradimin e bosit të krimit Naser Kelmendi, deri para pak ditësh i shumëkërkuar nga Interpoli.

Sipas raportimeve të mediave kosovare, në adresë të misionit evropian për rendin dhe ligjin nuk ka mbërritur asnjë shkresë zyrtare për këtë çështje.

Ndërkohë, Kelmendi u arrestua sërish mbrëmjen e së martës, me urdhër të një prokurori të EULEX-it, pasi u lirua nga paraburgimi për skadim të afatit prej 48 orësh.

Për Kelmendin pritet të mbahet një seancë dëgjimore ditën e enjte, raportojnë më tej burimet mediatike, të cilat shtojnë se personi në fjalë është nën hetim për krim të organizuar.

Çështja është e komplikuar për shkak se mes Kosovës dhe Bosnjes nuk ka marrëveshje ekstradimi, pasi shteti me tre republika nuk e ka njohur ende pavarësinë e shtetit të ri.

Stafi i misionit EULEX pranë Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës ka bërë me dije se ka kontaktuar autoritetet boshnjake, por duke qenë se ai vepron në bazë të legjislacionit kosovar, nuk ka mandat të bëjë ekstradimin e asnjë qytetari drejt BeH-së.

“Legjislacioni i Kosovës ka lejuar që zoti Kelmendi të qëndrojë në arrest për 48 orë. Në bazë të legjislacionit të Kosovës, shtetasit e Kosovës nuk mund të qëndrojnë në paraburgim me qëllim të ekstradimit nëse nuk ekziston një marrëveshje ndërkombëtare për këtë çështje”, ka sqaruar misioni evropian në një komunikatë për shtyp.

Kelmendi dyshohet për drejtimin e një organizate kriminale të madhe që merret me trafikimin e heroinës dhe kokainës për në Evropë përmes rrugëve të Ballkanit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA