Përshëndetet tërheqja e Koresë së Veriut

08/05/2013 00:00

Shtetet e Bashkuara e përshëndetën atë që e quajnë “pauzë provokimi” të Koresë së Veriut.

Vendi komunist tërhoqi dy raketa nga bartëset për lëshim në poligonin e Bregut Lindor, një veprim i cili vjen vetëm pak ditë përpara se presidenti Barak Obama të takohet me kryetaren e shtetit të Koresë së Jugut, Geun Hye Park. Uashingtoni mendon se Penjani nuk ndodhet më tani në prag të testimit të raketave me rreze të mesme veprimi.

Dy “Musudanët” e spostuar në mesin e përshkallëzimit të tensioneve javë më parë në brigjet lindore të vendit, tani janë dërguar sërish në depo.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, e kishte paralajmëruar qeverinë koreano-veriore se testimi i raketave do të ishte një gabim i madh. Por, ditët e fundit, retorika luftënxitëse e Penjanit është zbutur ndjeshëm dhe lëvizjen e raketave, që vjen në vazhdën e kësaj zbehjeje të kërcënimeve të shtetit komunit, zëdhënësi i Pentagonit, George Little e vlerësoi një zhvillim mjaft pozitiv.

Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Korea e Jugut i druheshin testimit të raketave me rastin e ditëlindjes së themeluesit të Koresë së Veriut, Kim Il Sung, në 15 Prill.

Raketat “Musudan” kanë një rreze të gjatë veprimi, nga 3000 deri në 3500 kilometra, dhe mund të godasin në këtë mënyrë bazat amerikane në ishullin e Guamit, në paqësor.

Ato janë krijuar në Korenë e Veriut mbështetur në teknologjinë ruse të prodhimit të raketave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA