Itali, incident i rëndë në portin e Xhenovas

08/05/2013 00:00

Një incident i rëndë ka ndodhur në portin e Xhenovas, në Itali, ku anija tregtare, Jolly Nero e shoqërisë “Messina”, është përplasur në molin Giano, duke rrëzuar në det kullën e kontrollit.

Personat që gjendeshin në brendësi të strukturës, në atë moment, që mund të kenë qenë rreth 23 vetë, kanë përfunduar në det. 4 persona janë konfirmuar të vdekur, trupat e të cilëve janë gjetur nga zjarrëfikësit. 6 persona janë shpëtuar, të cilët janë plagosur dhe janë transportuar për në spital. Ndërsa 7 të tjerë janë të zhdukur.

Dhjetra ekipe shpëtimi dhe zhytësish janë duke kërkuar në ujërat e asaj zone, për të rikuperuar trupat e 7 personave të tjerë. Në kullë kishte edhe një ashensor, i cili ka përfunduar në det. Zjarrëfikësit, policia, karabinierët dhe kapiteneria janë duke koordinuar forcat për të lehtësimin e kërkimeve dhe për të verifikuar nëse brenda ashensorit mund të ketë pasur ndonjë person.

Bilanci është bërë edhe më i vështirë nga fakti që, pikërisht në atë moment, ishte edhe momenti i ndryshimit të turneve të personelit të kapitenerisë së portit.

“Jemi të dëshpëruar”, tha mes lotëve Stefano Messina, pronar i anijes, i cili shkoi menjëherë në port pas incidentit. “Jemi të shokuar. Është diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë, jemi shumë të dëshpëruar”.

Prokuroria e Xhenovas ka nisur hetimet mbi incidentin. Anija është vënë nën sekuestro dhe komandanti i saj është marrë në pyetje nga hetuesit.

Incidenti, i cili ndodhi brenda portit, në momentin e daljes së anijes, mund të jetë shkaktuar nga një avari e papritur e dy motorrëve të anijes. Nëse do të fikeshin, ato do ta bënin anijen tërësisht të pakontrollueshme. Kështu, anija përfundoi duke prekur kullën e kontrollin me krahun e majtë të saj, duke e anuar dhe duke e rrëzuar pjesërisht në ujë.

Anija tregtare ishte duke udhëtuar me shpejtësi 4 nyje, me një pilot portual dhe duke u rimorkuar nga një tjetër mjet. Kushte këto, pothuajse të pamundura për një gabim njerëzor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA