Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Moskë, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry u takua me përfaqësues dhe drejtues të organizatave të të drejtave të njeriut dhe udhëheqës të opozitës anti-Putin.
Kryediplomati amerika u takua me Cerkasov, nga organizata “Memorial”, Blokov i “Greenpeace dhe Ponomariov i organizatës për të drejtat e njeriut.
Në takimin me drejtuesit e organizatave për të drejtat e njeriut, Sekretari i Shtetit u kujdes që të shmangte temat e nxehta mes Uashingtonit dhe Moskës, si përshembull ligjin Magnitski.
Vizita zyrtare e Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry nisi ditën e martë, kur edhe u takua në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin. Takimi nisi me një incident të pakëndshëm për diplomatin amerikan që u la në pritje për 3 orë para se të takohej me presidentin rus.
Pas Putinit në axhendën e Kerrit ishin bisedimet me homologun e tij Sergei Lavrov. Në diskutim janë një sërë cështjesh përfshi Sirinë, programin bërthamor të Iranit dhe Koresë së Veriut, Afganistanin dhe tregtinë.
Kerry dhe Lavrov janë takuar disa herë gjatë muajve të fundit, por kjo është vizita e parë e tij në Moskë që kur mori postin e Sekretarit të Shtetit në shkurt.
Ndalesa dy-ditore vjen përpara takimit të muajit të ardhshëm mes Barack Obama dhe shefit të Kremlinit në takimin e G8-ës.
Top Channel