Edhe bisedimet e ditës së dytë mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit u mbyllën pa marrëveshje në Bruksel. Dështimi i raundit të dytë të negociatave për një plan zbatimi të marrëveshjes së 19 prillit Thaçi-Daçiç-Ashton bën që edhe për këtë çështje të rinisin negociatat në nivel kryeministrash.

“Duhet të kalojë në nivel të kryeministrave ngaqë tani fitohet përshtypja që pala serbe, siç e kam thënë dhe herën e kaluar, vjen këtu që të humbë kohë, që të krijohet përshtypja para partnerëve ndërkombëtarë që po zhvillohet dialogu për zbatimin e marrëveshjes, por të mos ndryshojë gjendja në terren. Ka tre javë që është nënshkruar marrëveshja dhe që nga ajo kohë nuk ka ndryshuar asgjë përveç fjalorit politik. Dhe ne kemi dëshirë që të shohim rezultate të prekshme në terren”, deklaroi në përfundim të raundit zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.

Sipas kreut të delegacionit të Prishtinës, janë të papranueshme kërkesat e palës serbe për çështje që nuk përfshihen në marrëveshjen 15-pikëshe të 19 prillit, si pasuria dhe pozicioni i Kishës Ortodokse Serbe, apo integrimi në pushtetin vendor i bashkësisë së komunave serbe.

“Nuk kemi mandat për diskutime të tilla. Nuk është kjo çështja që duhet të debatojmë dhe me seriozitet po e them se atëherë duhet të flasim për luginën e Preshevës, për genocidin e Serbisë, për kohën e Millosheviçit, dëmet e luftës e kështu me radhë. Ne e dimë se për çfarë duhet folur, duhet të flasim për energjitikën, telekomunikacionin, për të pagjeturit dhe jo për tema që tanimë janë mbyllur, hapja e të cilave krijon telashe dhe që s’ka asnjë arësye që të jenë tema të përbashkëta me Serbinë”, nënvizoi Kuçi.

Ndërsa kishte pranuar propozimet fillestare të ndërmjetësit të BE-së, Fernando Gentilini, të bëra gjatë negociatave të para më 26 prill për planin e zbatimit, pala shqiptare i ka konsideruar si “humbje kohe” bisedimet dhe propozimet shtesë të këtij raundi, të cilat pritet të diskutohen sërish në Bruksel më 21 maj, në nivel kryeministrash.

Thaçi paralajmëron takime të reja

Takime shtesë të nivelit të lartë politik paralajmëroi edhe vetë kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e kabinetit qeveritar.

“Varësisht nga rrethanat e reja mund të ketë edhe takime të reja në nivel të lartë politik, në mënyrë që të ndodhë sa më shpejt implementimi, të ndryshojnë gjërat në terren, por në të njëjtën kohë të njoftohet edhe opinioni dhe të krijohen kushtet dhe rrethanat për rend dhe ligj. Të krijohen kushtet për demokraci, për organizim politik dhe për funksionimin e të gjitha institucioneve të Kosovës në tërë territorin e vendit”, theksoi kryeministri Thaçi.

Ndërsa në një komunikatë të zyrës së kryeministrit prezantohet gatishmëria e qeverisë kosovare për zbatimin e marrëveshjes. Aty thuhet se, pala kosovare ka qenë e gatshme të sqarojë veprimet konkrete të institucioneve vendore e ndërkombëtare.

“Veprime këto që do të ndalonin veprimet e strukturave ilegale të sigurisë dhe të drejtësisë dhe do të mundësonin përgatitjen e strukturave institucionale sipas ligjeve të Kosovës, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në tërë territorin këtë fund viti”, thuhet në komunikatë. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA