Pamjet e portit të Xhenovës, të marra nga lart, tregojnë se si është shkatërruar krejtësisht kulla e kontrollit dhe gjysma e saj është zhytur në ujë, pas përplasjes së anijes së mallrave, “Jolly Nero”.
7 persona humbën jetën nga aksidenti fatkeq, ndërsa 2 të tjerë vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.
“Jolly Nero” u përplas me kullën 50 metra të lartë, prej betoni e xhami, orët e vona të së martës, duke shkaktuar shembjen e saj. Ekipet e shpëtimit po kërkojnë mes gërmadhave për të mbijetuar, ndërsa zhytësit janë duke kontrolluar ujrat përreth.
Kapiteni i anijes është marrë në pyetje nga hetuesit dhe ka shumë mundësi të përballet me akuzat për vrasje nga pakujdesia, edhe pse zyrtarët thonë që faji për ngjarjen e rëndë duhet kërkuar ndoshta te ndonjë difekt mekanik i anijes.
Tre oficerë të saj janë në mesin e viktimave; ndërsa të tjerët priten të identifikohen. Përplasja ndodhi në kohën kur po ndërroheshin turnet e shërbimit. Në kullën e kontrollit, në ato momente, mendohet të kenë qenë të paktën 13 vetë.
Përveç të vdekurve e të zhdukurve, janë edhe katër të plagosur, dy nga të cilët rëndë, ndërsa një i tretë, sipas raporteve në media, ka humbur njerën këmbë.
Episodi i Xhenovës përbën aksidentin më të rëndë detar në Itali, që nga mbytja e tragetit luksoz “Costa Concordia”, janarin e vitit 2012, në afërsi të ishullit të Giglios, ku humbën jetën 32 vetë.
Edhe pse Xhenova është porti më i ngarkuar i vendit, dhe regjistron mesatarisht 14 aksidente në vit, episodi i së martës konsiderohet nga autoritetet atje si krejtësisht i paprecedent.
Top Channel