Putin lë 3 orë pas porte Kerrin

07/05/2013 00:00

Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry u takua në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin në përpjekje për të zbutur hendekun e qendrimeve të dy palëve mbi konfliktin sirian.

Përpara bisedimeve, Kerry u shpreh se Rusia dhe Amerika ndajnë interesa të përbashkëta përsa i takonin promovimit të stabilitetit në rajon.

“Shtetet e Bashkuara e kanë këtë bindje. Stabiliteti në rajon, të mos kemi ekstremistë që krijojnë probleme anëkënd tij dhe gjetkë. Kjo është shumë e rëndësishme. Besoj se të dyja palët e mbështesin një qasje të përbashkët. Uroj që do të jemi në gjendje të gërmojmë pak më thellë e të shohim nëse gjejmë terren për gjuhë të përbashkët”, deklaroi Kerry.

Putini e la Kerrin të priste tre orë për takimin e tyre në Kremlin dhe në çelje të bisedimeve nuk e përmendi luftën në Siri mbi të cilën Uashingtoni dhe Moska, furnizuese kryesore e Damaskut me armë, kanë patur mosmarrëveshje të thella. Por presidenti rus tha se pret me padurim të takohet me shefin e Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama.

“E mora letrën e zotit Obama përmes këshillitarit të tij të sigurisë kombëtare, Tom Donilon. Po punojmë për letrën e përgjigjes. Shpresoj që ta takoj Obamën personalisht. Në të ardhmen e afërt do ta kemi këtë mundësi”, tha ai.

Pas Putinit në axhendën e Kerrit ishin bisedimet me homologun e tij Sergei Lavrov. Në diskutim janë një sërë cështjesh përfshi Sirinë, programin bërthamor të Iranit dhe Koresë së Veriut, Afganistanin dhe tregtinë.

Kerry dhe Lavrov janë takuar disa herë gjatë muajve të fundit, por kjo është vizita e parë e tij në Moskë që kur mori postin e Sekretarit të Shtetit në shkurt.

Ndalesa dy-ditore vjen përpara takimit të muajit të ardhshëm mes Barack Obama dhe shefit të Kremlinit në takimin e G8-ës.

Top Channel