Iran, listat për pasardhësin e Ahmadinejad

07/05/2013 16:00

Irani nisi të martën regjistrimin e të gjithë atyre kandidatëve, që do të konkurrojnë në zgjedhjet e 14 qershorit për zëvendësimin e presidentit aktual, Mahmoud Ahmadinejad.

Një prej liderve më karizmatikë e konfliktualë të botës, Ahmadinejad do të largohet nga pushteti pas përmbushjes së dy mandateve.

Sipas ekspertëve, tërheqja e Ahmadinejad i hap rrugën e kandidimit më shumë kandidatëve liberalë, ndonëse nuk pritet ndonjë revolucion në rotacionin politik, pasi gjithsesi, kandidatët duhet të marrin fillimisht aprovimin e Liderit Suprem, Ajatollahut Ali Komenei, për t’u lejuar të garojnë.

Në zgjedhjet e vitit 2009, fitorja e Ahmadinejad u shoqërua me protesta të shumta në rrugë dhe mospranimin e rezultatit nga opozita.

Gjatë manifestimeve, sipas opozitës, mbi 80 persona mbetën të vdekur, ndonëse qeveria nuk i pranon zyrtarisht këto shifra.

Dy rivalët kryesorë të Ahmadinejad, njeriut që ka përkrahur një program bërthamor që e ka shndërruar Iranin në subjekt të shumë sanksioneve dhe kanë tensionuar situatën deri në prag të luftës me Izraelin e SHBA-në, vazhdojnë të mbeten në arrest shtëpie.

Megjithatë, liberali Mostafa Kavakebian, i cili u s’kualifikua nga gara prej Ajatollahut në 2009-n, ishte i pari që u regjistrua këtë të martë.

Hassan Roëhani, ish-negociatori iranian për çështjen ndërkombëtare dhe ish-presidenti Ali Akbar Hashemi Rafsanjani pritet gjithashtu që të konkurrojnë.

Nga ana e tij, pritet që Ahmadinejad të mbështesë kandidaturën e shefit të tij të stafit dhe njëprej njerëzve të tij më besnikë, Esfandir Rahim-Mashaeit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA