Bombardimi i Damaskut, Erdogan dënon Izraelin

07/05/2013 15:20

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ndonëse një kritik i ashpër i regjimit të Presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, konsideroi sulmin ajror të Izraelit brenda territorit sirian si të “papranueshëm”.

Një deklaratë e papritur, duke pasur parasysh se Erdogan është shndërruar në armikun më të ashpër të regjimit të Assad në Siri, ajo e kryeministrit turk u bë gjatë një mbledhje parlamentare të forcës mazhoritare, Partisë Drejtësi e Zhvillim, në Ankara.

”Sulmi ajror i Izraelit mbi Damask është i papranueshëm. Asnjë logjikë apo arsye nuk mund të përligjë këtë sulm. Këto sulme shndërrohen në një kartë të fortë në duart e Assadit, një kartë e shërbyer në një pjatë të argjendtë nga Izraeli, regjimit sirian”, vlerësoi Erdogani.

Tel Avivi justifikoi sulmin me informacionet që kishte grumbulluar me përgatitjen e transportit të armëve kimike në Liban, tek grupi terrorist i Hezbollahut.

Megjithatë, ekzistojnë dyshime të forta në lidhje me këto argumenta, mbi bombardimin që shkatërroi disa ndërtesa ushtarake dhe i kushtoi jetën 42 ushtarëve.

Ndërkohë, një ditë pasi hetimet e OKB-së sollën prova se armët kimike në luftën civile mund të jenë përdorur nga kryengritësit, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, udhëtoi në Moskë në një përpjekje të vështirë për të rakorduar qëndrimin e dy superfuqive mbi Sirinë.

E nisur në mars 2011, si pjesë e Pranverës Arabe, lufta civile në Siri i ka kushtuar jetën deri tani të paktën 70 mijë personave, duke zhvendosur e lënë të pastrehë miliona të tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA