Bisedimet mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, për hartimin e planit të zbatimit të marrëveshjes Thaçi-Daçiç-Ashton do të vijonë ditën e mërkurë, pas diskutimeve pa rezultat të ditës së sotme.
Raundi i dytë i këtyre bisedimeve nisi rreth orës 11:00, me takimin dypalësh BE-Kosovë, dy orë me vonë vijoi me takimin BE-Serbi, para se palët të uleshin në tryezën e përbashkët të negociatave.
Sipas zëvedëskryeministrit Hajredin Kuçi, i cili kryeson delegacionin e Kosovës, nuk është rënë dakort e ndërmjetësuesi i BE-së, Fernando Gentilini, pritet të paraqesë një projekt-plan të ri mbi planin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit, duke akuzuar palën tjetër që kërkon negociata shtesë.
Shefi i delegacionit serb, Marko Djuriç, njëkohësisht këshilltar i Presidentit Nikoliç, tregoi pas takimit se ka kërkuar që përpara planit të zbatimit të marrëveshjes të përcaktohet pozicioni për Kishën Orthodokse Serbe, për pasurinë, si dhe kushtet për pjesmarrjen e serbëve në institucionet e Kosovës.
Top Channel