Venezuelë, Maduro: Duan të më vrasin

04/05/2013 00:00

Presidenti i ri i Venezuelës, Nicolas Maduro ka akuzuar ish-liderin kolumbian Alvaro Uribe se po komploton vrasjen e tij.

Zoti Maduro deklaroi se ka prova të mjaftueshme që tregojnë se politikanë venezuelianë të krahut të djathtë janë përfshirë në komplotin në fjalë.

Ai ka folur për komplote kundër tij që kur mori pushtetin pas vdekjes së presidentit Hugo Chavez, pasi fitoi zgjedhjet e debatueshme të muajit të kaluar.

“Uribe fshihet pas një komploti për të më vrarë mua. Uribe është një vrasës. Kam prova për ata që po komplotojnë dhe mes tyre ka elementë të së djathtës venezueliane”, deklaroi zoti Maduro.

Zoti Uribe, një kritik i ashpër i presidentit Chavez, i hodhi poshtë akuzat e Maduro duke i cilësuar ato si “të pamatura”. “Akuzave të pamatura të bëra nga diktatura u jap vetëm një përgjigje: përsërisni zgjedhjet”, replikoi Uribe pak orë më vonë.

Gjatë mandatit të tij, Uribe u përplas me Hugo Chavez për një sërë çështjesh. Presidenti kolumbian u tërhoq në vitin 2010. Që atëherë lidhjet mes dy vendeve janë përmirësuar.

Maduro fitoi zgjedhjet presidenciale të 14 prillit me një avantazh fare të ngushtë prej 1.49 për qind, sipas rezultateve zyrtare. Lideri i opozitës, Henrique Capriles po sfidon rezultatin, duke pretenduar për parregullësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA